Kontakt
Copyright © 2026
Germin
THIRRJE E HAPUR PËR PROFESIONISTË TË DIASPORËS
Regjistrohu për të aplikuar
"Thirrje e hapur për profesionistë nga diaspora për të ofruar mentorim për orientim në karrierë për vajzat dhe gratë nga Kosova"
Afati për dorëzimin e aplikimeve është Nov 15, 2026 @ 23:55 (CET)
Apliko Këtu
				 

Qëllimi i programit

GERMIN, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), zbaton Programin e Mentorimit të Grave nga Diaspora për Kosovën, në kuadër të projektit “Shfrytëzimi i potencialit të diasporës për të avancuar anëtarësimin në BE dhe mobilitetin e fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor”, të financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim. Programi lidh 40 gra të moshës 18–35 vjeç që jetojnë në Kosovë me 20 profesionistë nga diaspora, për orientim të strukturuar në karrierë, zhvillim të aftësive praktike dhe qasje në njohuri e rrjete profesionale.

Mentorimi synon të forcojë orientimin në karrierë, vetëbesimin profesional dhe përgatitjen për tregun e punës. Ai nuk garanton punësim, praktikë profesionale apo rekomandime për mundësi profesionale. Mirënjohja publike dhe identiteti vizual kërkojnë miratimin e IOM-it.

Qëllimi i angazhimit të mentorit

Çdo mentor do të udhëheqë dy përfituese të përzgjedhura dhe do ta mbështesë secilën në përgatitjen dhe zbatimin e një Plani Individual të Mentorimit (PIM), me dy deri në katër objektiva të matshëm për zhvillimin profesional.

Detyrat dhe përgjegjësitë

  • Të marrë pjesë në orientimin fillestar që organizon GERMIN dhe të njihet me metodologjinë e programit, Kodin e Sjelljes, rregullat e konfidencialitetit dhe kërkesat për dokumentim.
  • Të dakordojë një PIM me secilën përfituese, duke përfshirë qëllimet, veprimet praktike, rezultatet e pritshme dhe afatet.
  • Të realizojë tetë sesione të strukturuara: një sesion të përbashkët prezantues me të dyja përfitueset, nga tri sesione individuale me secilën dhe një sesion të përbashkët përmbyllës. Secila përfituese merr pjesë në pesë takime.
  • Të ofrojë mbështetje praktike sipas nevojave të përfitueses, si orientim për sektorin përkatës, planifikim të karrierës, përmirësim të CV-së ose profilit në LinkedIn, përgatitje për intervista dhe identifikim të mundësive për zhvillimin e aftësive.
  • Kur është e përshtatshme dhe me pëlqimin e përfitueses, të lehtësojë lidhjet ose rekomandimet profesionale, pa premtuar rezultate.
  • Të dakordojë paraprakisht datat e takimeve, të njoftojë me kohë për pengesat në orar dhe të koordinojë me GERMIN çdo ndryshim të nevojshëm.
  • Të dorëzojë shënime të shkurtra për sesionet dhe progresin e PIM-it, duke evidentuar pjesëmarrjen reale dhe duke përfshirë vetëm të dhënat personale të nevojshme.
  • Të marrë pjesë në aktivitetet e koordinimit dhe të dhënies së komenteve, si dhe të respektojë kufijtë profesionalë, mosdiskriminimin, konfidencialitetin dhe kërkesat për mbrojtjen e pjesëmarrëseve.

Kohëzgjatja dhe mënyra e realizimit

Programi parashikon përzgjedhjen, profilizimin, përputhjen e mentorëve me përfitueset dhe orientimin gjatë nëntorit 2026. Sesionet e strukturuara do të zhvillohen nga dhjetori 2026 deri në mesin e shkurtit 2027, brenda periudhës së projektit që përfundon më 28 shkurt 2027. Datat përfundimtare varen nga plani i zbatimit që GERMIN dakordon me IOM-in. Përveç tetë sesioneve të mentorimit, angazhimi përfshin kohë të arsyeshme për përgatitje, orientim nga GERMIN, koordinim dhe dokumentim të shkurtër.

Programi planifikon realizimin e sesioneve në distancë. GERMIN do të komunikojë kohëzgjatjen e sesioneve dhe mënyrën e zhvillimit të takimeve para kontraktimit dhe do t’i dakordojë ato gjatë caktimit të orarit. Palët duhet t’i rezervojnë datat herët, duke marrë parasysh dallimet në zona kohore dhe festat e fundvitit. Çdo angazhim me prani fizike kërkon konfirmim të veçantë me shkrim; kjo thirrje nuk premton mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit.

Kriteret e pranueshmërisë dhe profili i kërkuar

  • Të jetë profesionist që jeton dhe punon në diasporë, me ekspertizë që mund të mbështesë nevojat e grave në Kosovë për zhvillim në karrierë.
  • Të dëshmojë njohuri të sektorit dhe përvojë praktike profesionale përmes CV-së dhe profilit.
  • Të ketë motivim për të transferuar njohuri dhe për të mbështetur zhvillimin profesional të grave të reja.
  • Të ketë aftësi të mira komunikimi, dëgjimi aktiv dhe udhëzimi.
  • Të jetë i disponueshëm gjatë gjithë ciklit dhe i gatshëm të plotësojë dokumentacionin bazë të progresit.
  • Të respektojë etikën, konfidencialitetin, mosdiskriminimin dhe sjelljen profesionale.

Programi synon të përfshijë sektorë, vende banimi dhe përvoja të ndryshme profesionale. GERMIN do ta shqyrtojë ekspertizën në raport me nevojat e përfitueseve; programi nuk përcakton një listë të mbyllur profesionesh. Aplikantët duhet të tregojnë gjuhët e punës, zonën kohore dhe disponueshmërinë e tyre.

Vlerësimi dhe përputhja

GERMIN do të verifikojë përmbushjen e kritereve të pranueshmërisë dhe do t’i vlerësojë aplikimet sipas një skeme të dokumentuar. Peshat e propozuara për miratim në fazën fillestare janë: ekspertiza dhe përvoja në sektor, 35%; përshtatshmëria me nevojat e përfitueseve, 30%; disponueshmëria dhe përkushtimi, 20%; aftësitë e mentorimit dhe komunikimit, 15%. GERMIN do ta konfirmojë skemën përfundimtare para publikimit dhe do ta zbatojë atë në mënyrë të njëtrajtshme. GERMIN mund t’i ftojë kandidatët në listën e ngushtë në një bisedë sqaruese të standardizuar ose t’u kërkojë verifikimin e të dhënave të aplikimit.

Përputhja përfundimtare do të marrë parasysh objektivat e zhvillimit, ekspertizën, sektorin, fazën e karrierës, gjuhën e punës dhe oraret e takimeve. GERMIN do t’i konfirmojë përputhjet e propozuara me pjesëmarrësit dhe do t’i trajtojë herët rastet e papërshtatshme. Përzgjedhja nuk garanton angazhim deri në përfundimin e përputhjes dhe kontraktimit.

Mbështetja nga GERMIN

  • Menaxhon rekrutimin, përzgjedhjen, profilizimin, përputhjen dhe orientimin fillestar.
  • Ofron modelet e PIM-it, udhëzimet për sesionet, kalendarin dhe formatet e raportimit.
  • Koordinon komunikimin, monitoron realizimin dhe ndihmon në zgjidhjen e vështirësive gjatë zbatimit.
  • Mbledh komentet e pjesëmarrësve dhe vlerëson progresin dhe rezultatet e programit.

Etika, konfidencialiteti dhe mbrojtja e pjesëmarrëseve

Mentorët duhet t’i mbajnë konfidenciale të dhënat e pjesëmarrëseve, t’i përdorin ato vetëm për qëllimin e dakorduar të mentorimit dhe të ndjekin udhëzimet e GERMIN për ndarjen e autorizuar dhe trajtimin e sigurt të tyre. Marrëdhëniet duhet të mbeten profesionale, të sigurta dhe të respektueshme. Fotografitë, dëshmitë dhe historitë e suksesit kërkojnë pëlqim të veçantë; pëlqimi për publicitet nuk përbën kusht për pjesëmarrje.

GERMIN do të ofrojë kontaktet për raportim konfidencial para orientimit fillestar. Mentorët duhet t’i raportojnë shqetësimet menjëherë përmes kanaleve të përcaktuara dhe të respektojnë dispozitat për sjelljen dhe mbrojtjen që përmbajnë marrëveshjet e tyre individuale. Mentorët nuk duhet të përfshijnë hollësi të ndjeshme për incidentet në shënimet e zakonshme të sesioneve. Konfidencialiteti nuk pengon raportimin që kërkojnë procedurat e dakorduara të mbrojtjes.

Honorari dhe kontraktimi

Angazhimi parashikon një honorar prej 960 euro bruto për mentor, që përfshin të gjitha shpenzimet për përmbushjen e plotë të detyrës. Ai mbulon tetë sesionet e strukturuara të mentorimit, përgatitjen, kontributin në të dy PIM-et, dokumentimin e shkurtër të progresit dhe koordinimin me GERMIN.

Procedura e aplikimit

Aplikantët duhet të aplikojnë përmes platformës së GERMIN, Engaging Diaspora Professionals (EDP). Ata duhet të regjistrohen ose të hyjnë në llogarinë e tyre, të konfirmojnë emailin, të plotësojnë profilin profesional, të ngarkojnë CV-në dhe të dorëzojnë aplikimin për këtë thirrje specifike. Profili dhe aplikimi duhet të shpjegojnë ekspertizën përkatëse, motivimin, gjuhët e punës, zonën kohore dhe disponueshmërinë për të gjithë ciklin.

Afati i aplikimit: 15 nëntor 2026. GERMIN do të komunikojë orën e mbylljes dhe zonën kohore në thirrjen e publikuar. Një komision vlerësues i GERMIN do t’i shqyrtojë aplikimet; GERMIN do të kontaktojë vetëm aplikantët në listën e ngushtë ose ata të përzgjedhur.

  1. Regjistrohuni KËTU.
  2. Konfirmoni adresën tuaj të emailit.
  3. Plotësoni profilin profesional dhe ngarkoni CV-në.
  4. Hapni këtë thirrje dhe klikoni butonin APPLY.

Afati i aplikimit: 15 nëntor 2026.

NDJEKNI HAPAT
PËR TË APLIKUAR
Regjistrohu
Confirm your email
Create your profile on this platform
Apliko