Studim Kërkimor: Nevoja e Institucioneve Publike për Ekspertizë nga Diaspora Shqiptare
Ky studim është pjesë e projektit “Përputhja e Ekspertëve të Diasporës me Nevojat Institucionale në Vendet e Origjinës”, i cili zbatohet nga Germin me mbështetjen e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Projekti synon të rrisë përfshirjen e profesionistëve të diasporës në vendet e tyre të origjinës dhe të krijojë mundësi për transferim njohurish dhe aftësish. Popullata e interesuar përfshin profesionistë nga fusha të ndryshme që janë pjesë e diasporës kosovare dhe shqiptare që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht ata nga Gjermania.
Studimi synon të vlerësojë perceptimet mbi migrimin qarkor dhe angazhimin profesional të profesionistëve të Diasporës Shqiptare. Përmes kërkimit të literaturës ekzistuese, tema e emigracionit është kontekstualizuar duke sjellë një sfond historik të zhvillimit të diasporës shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo pjesë analizon se si valët e ndryshme të migrimit kanë ndikuar në krijimin e komuniteteve të diasporës dhe lidhjet e forta të tyre me vendet e origjinës. Këto lidhje vërtetohen jo vetëm përmes kontributit ekonomik, politik dhe social në të kaluarën, por edhe përmes gatishmërisë për të zhvilluar migrimin qarkor.
Rezultatet nga ky raport tregojnë se shumica e të anketuarve janë të gatshëm dhe të përkushtuar për të kontribuar për vendin e origjinës. Raporti gjithashtu ofron një përmbledhje të detajuar të të gjeturave kryesore nga një anketë me 921 pjesëmarrës nga Diaspora Shqiptare mbi të njëjtën temë, e realizuar në gjysmën e dytë të janarit 2020. Të gjeturat nga anketa paraqiten në dy seksione kryesore:
(1) Karakteristikat e Përgjithshme dhe Demografike të të Anketuarve, si dhe Sfondi i tyre Arsimor dhe Profesional; dhe
(2) Perceptimet mbi Angazhimin Profesional të Diasporës; Potenciali për Angazhim të Ardhshëm në Vendet e Origjinës; dhe Perceptimet për Iniciativën e Germin dhe Përkushtimi i Tyre i Ardhshëm.
Raporti paraqet pesë rekomandime për politikëbërësit dhe palët e interesit për të rritur angazhimin e diasporës në kuadër të migrimit qarkor:
(1) Njihni profesionistët e diasporës shqiptare; bëni hartëzimin, dëgjoni dhe kuptoni;
(2) Fuqizoni grupet dhe organizatat e diasporës;
(3) Zhvilloni një platformë multifunksionale që lidh profilet e profesionistëve të diasporës me sektorin publik dhe privat në vendet e origjinës;
(4) Krijoni hapësira për përfshirjen e profesionistëve të diasporës në institucionet publike të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat përballen me mungesë njohurish dhe aftësish të avancuara në sektorë kyç;
(5) Përmirësoni koordinimin ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes dhe institucioneve ndërshtetërore, dhe rrisni gjithëpërfshirjen në procesin e angazhimit të diasporës.