Kreshnik Rama nuk ka jetuar kurrë në Kosovë. Lindi në vitin 1993 në Suedi, dhe që të jetonte dhe punonte në Kosovë ishte një nga pengjet e tij më të mëdha. Prandaj, kur e pa thirrjen e GERMIN-it në kuadër të Aktivitetit për Angazhimin e Qytetarëve, për angazhimin e profesionistëve të diasporës që të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve të organizatave joqeveritare të Kosovës, ai nuk kishte dilemë se duhej të aplikonte.
Kreshniku është diplomuar në inxhinieri mekanike dhe është specializuar në sistemet e energjisë së rinovueshme – një fushë që mungon shumë në Kosovë. Rrjedhimisht, ai dha kontributin e tij vullnetar për dy muaj në organizatën joqeveritare Sustainability Leadership Kosova (SLK).
“Gjatë kohës sime në SLK, kam ndihmuar organizatën të zhvillojë një instrument që SLK mund ta përdorë kur analizon kompani/organizata të ndryshme, për të ditur se si të dokumentojë ndikimin e tyre në mjedis”, tha Kreshniku.
Qëndrimi në Kosovë për dy muaj dhe puna në një organizatë joqeveritare ishte një ëndërr e realizuar për Kreshnikun.
“Të gjitha këto i bëra me dëshirë, për të krijuar një ide se si do të dukej jeta në Kosovë, nëse do të vendosja të kthehesha apo nëse teorikisht, prindërit e mi nuk do të vinin kurrë në Suedi”, thotë ai.
Mikpritja nga kolegët e tij në SLK dhe miqësitë që ka krijuar gjatë qëndrimit në Kosovë e befasuan për mirë.
“Përmes SLK-së, kam takuar shumë kompani dhe organizata të ndryshme që më kanë ndihmuar të kuptoj kushtet e Kosovës”, thotë Kreshnik.
Për kontributin për Kosovën, ai ndjen një nevojë të brendshme që e cilëson si ‘borxhi’ që duhet t’i kthehet atdheut.
“Unë kam lindur në Suedi dhe nuk kam jetuar kurrë në Kosovë, por prindërit e mi nuk kishin zgjidhje tjetër dhe mendoj se unë së bashku me prindërit e mi ia detyrojmë Kosovës këtë”, thotë ai.
Si një person i lindur dhe i rritur jashtë Kosovës, ai e sheh kontributin për atdheun e prindërve të tij jo vetëm përmes remitancave, por mbi të gjitha duke shkëmbyer njohuri në fusha të caktuara.
“Fakulteti që kam përfunduar në Suedi (Universiteti Chalmers) konsiderohet si një nga fakultetet më të mira në Evropë në fushën e mjedisit, ndaj e shoh se, kontributi më i madh që mund të jap nuk është mes rrugës financiare, por përmes përgatitjeve të mia – dhe kjo përmes angazhimit tim në Kosovë”, thotë Kreshniku.
Nga puna dymujore në Kosovë që ka bërë në kuadër të Aktivitetit të Angazhimit Qytetar, Kreshniku ndihet shumë krenar për një gjë.
“Jam shumë krenar për instrumentin që kemi zhvilluar dhe kam shpresë që SLK do ta përdorë këtë instrument në të ardhmen”, thotë Kreshniku me krenari.
Menaxheri i projektit në këtë organizatë, Shpëtim Shujaku, thotë se kontributi i Kreshnikut do të jetë afatgjatë për SLK-në. Ai thotë se organizatat dhe institucionet joqeveritare në Kosovë duhet të shfrytëzojnë njohuritë që ka diaspora shqiptare për ngritjen e kapaciteteve në fusha të ndryshme. Sipas tij, ka një interesim të madh nga diaspora për të kontribuar në Kosovë, por mungojnë projektet për angazhimin e tyre. Prandaj, kur SLK pa thirrjen për angazhimin e profesionistëve, menjëherë aplikoi për të angazhuar një profesionist në fushën e mjedisit.
“Kur e pamë mundësinë që na ofruat, menjëherë vendosëm të aplikonim pasi pamë që është e nevojshme të kemi një person që ka një profil si Kreshniku, të angazhohet për një kohë në organizatën tonë dhe të na dhurojë një këndvështrim tjetër si, një ekspert që vjen nga një vend i zhvilluar në një vend në zhvillim”, thotë Shpëtim.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë gjatë periudhës tetor-dhjetor 2022, Kreshniku takoi disa biznese/ndërmarrje dhe organizata përmes SLK-së.
“Kreshniku mori pjesë në projektin 'Takimet Profesionale të Diasporës' që kishim rreth Kosovës, ku vizituam disa biznese, institucione dhe organizata të ndryshme për të parë nga afër se si funksionojnë dhe në të njëjtën kohë u dhamë këshilla se si t'i drejtojmë drejt qëndrueshmërisë si entitet”, thotë Shpëtimi
Sipas Shpëtimit, është shumë e rëndësishme angazhimi i ekspertëve të diasporës në Kosovë, pasi thotë se ata kanë njohuri edhe për kontekstin kosovar.
“Nëse do të vinte një i huaj me ekspertizë të madhe, por që nuk e kupton kontekstin e Kosovës, do ta kishte shumë problem të identifikonte disa çështje”, thotë Shpëtim.
GERMIN kontribuon drejtpërdrejt në promovimin e diversitetit të burimeve për sektorin e shoqërisë civile përmes Aktivitetit për Angazhimin Qytetar, konkretisht angazhimin e ekspertëve të diasporës, ku përveç burimeve financiare qasja do të ndikojë edhe në burimet vullnetare të profesionistëve të diasporës, si nevojë imediate në rastin e SLK. Aktiviteti i Angazhimit Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesëvjeçare e zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
*Ky botim është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e GERMIN dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.